Udhëtimi i kryeministrit Edi Rama për herë të dytë brenda pak muajve nga Ankaraja në Athinë, pa zbuluar detaje nga bisedimet e mbajtura prapa perdeve mes tij, presidentit Erdogan dhe kryeministrit Qiriako Mistotaqis është ndjekur me shqetësim jo vetëm nga publiku shqiptar por edhe nga Greqia dhe Turqia.
Mediat greke zbuluan se edhe pse në Shqipëri u përshkrua si vizitë zyrtare, Erdogan e thirri kryeministrin shqiptar për t’i shprehur shqetësimin e tij për kalimin në Hagë të çështjes së detit me Greqinë, duke i presion për ta anuluar.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama u takua me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Ankara me ftesë të këtij të fundit, duke shprehur shqetësimin e tij të thellë mbi marrëveshjen greko-shqiptare për referimin e mosmarrëveshjes së shënjimit të kufirit në Hagë. Megjithëse Rama është një aleat i ngushtë i Erdoganit, ai kërkon të vendosë një ekuilibër midis Perëndimit dhe Turqisë”, shkruan gazeta “Greek City Times”. “Marrëveshja midis Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e kufirit të tyre detar që do të gjykohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e miratuar nga Rama, ka alarmuar Erdoganin i cili i bëri presion ndaj tij për ta anuluar atë.”.
Kreu i qeverisë shqiptare mësohet se ka kapur në suprizë Ministrinë e Jashtme turke kur deklaroi se se zgjerimi me 12 milje “një e drejtë e Greqisë dhe bazohet në Konventën Ndërkombëtare mbi Ligjin e Detit, e cila shprehet qartë se çdo vend mund të zgjerojë kufijtë e tij detarë, atje ku është e mundur”.
“Rama kërkon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Turqinë, por edhe të mos distancohet nga Perëndimi, në mënyrë që të eleminojë akuzën se ai është një “ushtar” i Erdoganit në Ballkan”, shkruan gazeta greke. Rama, në opozitë kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese anulimin e marrëveshjes greko-shqiptare për Zonën Ekskluzive Ekonomike (EEZ) në 2008, nënshkruar nga Kryeministrat e atëhershëm Sali Berisha dhe Kostas Karamanlis. Turqia u dha ryshfet anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të anuluar marrëveshjen”, shkruan gazeta “Greek City Times”.
Gazeta thekson se grekët i tremben shfrytëzimit nga Erdogani të reaksionit të brendshëm në Shqipëri kundër marrëveshjes së detit me Greqinë.
“Erdogan mund të përfitojë nga reagimet e brendshme të Ramës ndaj marrëveshjes me Greqinë. Kritikët e tij thonë se Shqipëria ka hequr dorë nga një pjesë e sovranitetit të saj dhe po i jep Greqisë mundësinë për të forcuar pozicionin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Marrëveshja greko-shqiptare provokoi një reagim të fortë nga Presidenti shqiptar Ilir Meta, i cili akuzoi Ramën për heqjen dorë nga sovraniteti territorial dhe bisedime të fshehta me palën greke. Sidoqoftë, Rama do të duhet të krijojë një ekip negociator për Hagën, i cili do të duhet të miratohet nga Meta, që gjithashtu ka reaguar kundër marrëveshjes greko-shqiptare.
Presidenti dhe Kryeministri kanë një sherr të hapur për një kohë të gjatë dhe asnjëri prej tyre nuk jep asnjë shenjë se mund të tërhiqet. Shqipëria pret fillimin e negociatave të pranimit me BE, të cilat kur të ndodhë do të njihen si kredit politik i Ramës i cili akuzohet nga opozita dhe shoqëria për politika autoritare. Rama gjithashtu merr kritika nga anëtarët e Parlamentit Evropian për mos shkuar përpara me reformat e vendosura nga BE”, thekson gazeta “Greek City Times”.
Gjatë një konference të përbashkët shtypi në Ankara, Rama dhe Erdogan nënshkruan një “Marrëveshje Partneriteti Strategjik” si dhe marrëveshje bashkëpunimi mbi shëndetësinë, arsimin, ndërtimin, infrastrukturën dhe kulturën. Ata gjithashtu nënshkruan një marrëveshje mbi krijimin e një Këshilli të Lartë për Bashkëpunimin Strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë.
“Rama, i cili ka marrë qeverinë e Shqipërisë që nga viti 2013, e ka bërë Turqinë veçanërisht të rëndësishme për politikën e jashtme shqiptare dhe konsiderohet një partner kryesor strategjik”, thekson gazeta greke. Marrëdhënia e ngushtë e Kryeministrit shqiptar me Erdogan ishin zhvilluar para se Rama të vinte në pushtet. Për më tepër, pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit në Turqi në korrik 2016, Rama ishte një nga udhëheqësit e parë të huaj që shprehu mbështetjen e tij për Erdogan. Marrëdhënia e ngushtë midis dy burrave dëshmohet nga fakti se Rama ishte gjithashtu i ftuar në dasmën e vajzës së Erdoganit. Në të njëjtën kohë, Turqia është një partner i rëndësishëm ekonomik i Shqipërisë”, shkruan “Greek City Times“.