Kongresi i Partisë Socialiste ka pasur një sërë zhvillimesh dinamike në prapaskenë përpos detajeve skenike që PS është kujdesur.
Një prej tyre është Arben Ahmetaj, raporton gazeta Drita.
Gjatë qeverisjes 9-vjeçare të Edi Ramës, ai ka qenë protagonisti i hartimit të politikave fiskale dhe ekonomike të Edi Ramës, fillimisht si ministër i Financash, më pas si kryetar i Komisionit të Ekonomisë, si ministër i Rindërtimit dhe tashmë si zv.Kryeministër.
Por, megjithëse është një figurë qendrore në hartimin e politikave qeverisëse, në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste ai nuk ka gjetur hapësirë.
Në axhendë mund të gjesh ministra dhe ish ministra, deputetë dhe ish deputetë, kryetarë bashkish apo ekspertë të qeverisë të cilët folën dhe po flasin.
Por emri i Arben Ahmetajt mungon mes diskutuesve si në pesë panelet tematike, ndërsa nuk është përfshirë as në agjendën e folësve, të paktën jo mes folësve kryesorë në pjesën e dytë të punimeve të Kongresit, ku do të diskutohet programi qeverisës dhe riorganizimi i partisë.
Nga PS nuk ka një reagim zyrtar mbi këtë mungesë të Ahmetajt, nëse është zgjedhje personale e tij, apo është lënë jashtë me arsye.
Emri i Arben Ahmetajt është akuzuar edhe si i përfshirë fort në çështjen e inceneratorëve nga ana e opozitës.
Ndërkohë, PD ka denoncuar në SPAK se Arben Ahmetaj është një nga përfituesit e aferës së inceneratorëve, pasi është faktuar se ka qenë i përfshirë në aksident automobilistik ndërsa udhëtonte me makinën e Mirel Mërtirit në Maqedoninë e Veriut.
Hetimet rreth kësaj çështje mund të jenë edhe një nga arsyet se pse kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të mos përfshijë në axhendë Ahmetajn. /GazetaDRITA/