Nga Fjoralba Caka*
Tërmeti i 26 Nëntorit mbetet një ngjarje e trishtë. Humbjet e jetëve nga një goditje aq e shpejtë, pasiguria e numrit të personave nën rrënoja, i shkundën të gjithë për shumë ditë me radhe duke sjellë me çdo pas lëkundje tërmeti, shkundjen e gjerave që i mbanim të sigurta, frikën për të ardhmen dhe rrëzimit të asaj të ndërtuar me mund.
E nëse nga një anë tragjedia kishte pllakosur duke lënë çdo gjë të mpirë nga pafuqia e përballjes me një ngjarje të fortë natyrore, çdo orë, çdo ditë të rijnë, burra dhe gra i afroheshin Shtabit, tendave apo qendrave ku u vendosen qytetarët pa shtëpi, për t’i ndihmuar me çfarë të mundeshin.
Tërmeti i 26 Nëntorit do mbetet një ngjarje e trishtë, por ndoshta për shkak se e pandërgjegjshmja do të harrojë atë qe e tremb apo bën të vuaj, apo ndoshta sepse njeriu është i gatuar të kapet fort pas jetës me instinktin e mbijetesës, ajo pas së cilës unë zgjedh të kapem kur kujtoj ato ditë, do të mbeten vullnetarët dhe potenciali i madh njerëzor në Shtabin e Emergjencës të vënë në shërbim të rimëkëmbjes.
Unë i jam mirënjohëse çdo strukture që ato ditë shërbeu me përkushtimin përtej vetes, bluzave të bardha, policisë, njësive të gjetjes dhe shpëtimit, zëvendësministrave dhe zyrtarëve të tjerë të angazhuar në qytete të ndryshme në Shtabet dhe njësitë vendore dhe administrative.
Përtej mirënjohjes, unë do të ndihem gjithmonë borxhlie ndaj vullnetarëve të atyre ditëve të vështira. Të pasigurtë për çfarë po ndodh apo do të ndodhë shumë të rijnë braktisën familjet e tyre në Durrës për të shërbyer si vullnetarë e për të ndihmuar ata që kishin më shumë nevojë.
Vullnetarët e UAMD veçanërisht, por edhe ata që vinin çdo ditë me makinat personale nga Tirana, treguan që edhe pse ne mund të përthyemi nga vështirësitë, ne nuk thyemi, që Shqiptari i mirë ka një forcë rekuperuese që përtej fatkeqësisë arrin të shikojë ripërtëritjen me forcë dhe vitalitet dhe të japë shumë për tjetrin.
Unë i jam gjithmonë borxhlie atyre të rinjve dhe të rejave që dhanë kaq shumë gjatë krizës së tërmetit. Për mua ata janë heronjtë e heshtur të një tragjedie; ata nuk e menduan dy herë të linin çka kishin për ti ardhur në ndihmë tjetrit, edhe kur kishin vet familjare të humbur dhe shtëpi të dëmtuara.
Aktivizimi i tyre me tre turne edhe pas mesnate, shërbimi tek njësitë e informimit, shpërndarja e ndihmave në zonat më të thella, organizimi i këndeve me fëmijë, shërbimi në qendrat e strehimit dhe ushqimit, e shumë e shumë punë të tjera kryheshin çdo ditë, me të njëjtin zell. Motivimimi i këtyre të rinjve ja kalonte atij të çdo rrogëtari, sakrifica e tyre personale ishte e admirueshme po aq sa të mos priturit asgjë në këmbim të asaj që po bënin.
Sot ata vazhdojnë jetën e tyre duke u përballuar me vështirësitë e zakonshme të një të riu që jeton në këtë vend, por shpresoj që ata nuk do të harrojnë forcën që i gjallon përbrenda, humanizmin, dashurinë për tjetrin dhe forcën për të dalë mbi çdo pengesë apo fatkeqësi.
Xhaferr, Sidita, Erjo, dhe i gjithë grupi prej 80 vetash i vullnetarëve të UAMD e më gjerë, çdo falënderim është shumë pak për ju, por doja thjesht t’ju rikujtoja me përulësi fuqinë që keni për të ndezur dritën e shërbimit dhe inkurajimit tek njëri-tjetri.
Forca e ju të gjithëve e ka bërë dhe bën këtë vend më të mirë çdo ditë, pavarësisht rrethanave.
Faleminderit!
*Ish zëvendës Ministre e Drejtësisë dhe koordinatore e rrjetit të vullnetarëve