Kryeministri Rama dhe Presidenti i vendit Ilir Meta janë shfaqur sot bashkë në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në Memorialin “Nëna Shqipëri”.
Atje ndodhet dhe kryeparlamentarja Lindita Nikola, si dhe zyrtarë të lartë të shtetit.
Sipas protokollit, i pari që ka vendosur kurorë me lule ka qenë Presidenti Meta, më pas kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, kryeministri Rama dhe të tjerët.
Ndërkohë, në këtë ditë feste të çlirimit të vendit, nuk kanë munguar në Varrezat e Dëshmorëve as nostalgjikët e komunizmit.
Disa të moshuar i kanë prerë rrugën Ramës e Metës ku kanë shtruar një tapet të kuq në hyrje dhe kanë vendosur simbole të komunizmit.
“Lavdi Enver Hoxha”, shkruhej në një prej tyre ndërkohë thirrjet ishin: “Ai ishte burrë shteti, jo ju tradhëtarë të kombit”.
Pavarësisht masave që merren çdo vit për distancimin e tyre, nostalgjikët e diktatorit gjejnë hapësira të reja për t’u bërë pjesë e ceremonisë për 29 nëntorin.