Në Partinë Demokratike ka nisur një debat i ri. Sali Berisha dorëzoi sot firmat për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD, ku pretendon se janë rreth 4200 të tilla.
Por ndërsa i mori në dorëzim, Edi Paloka u shpreh se ato do të mbahen sekret, në mënyrë që të ruhet privatësia e firmëtarëve.
Nga ana tjetër, Gazmend Bardhi deklaroi se ky ishte një blofi ish-kryeministrit, pasi nuk janë mbledhur firmat e nevojshme.
Analisti Andi Bushati u shpreh se nëse vërtetë Sali Berisha nuk i ka mbledhur firmat, atëherë “Foltorja” ka vdekur.
“Nëse kanë çuar firma false, foltorja vdiq. Një version është ai që dëgjuam nga Gaz Bardhi, që Berisha ka dështuar. Ka mbledh ca njerëz në Shqipëri dhe nuk ka ende firmat. Varianti tjetër është një teori konspirative. Për mua nuk është serioze të mos i nxjerrin firmat. Firmat duhet të dalin para kuvendit.Të dyja palët brenda PD e kanë obligim për të treguar se kush e ka shumicën. Se ky debat në PD po ndiqet më shumë se debati i stisur Rama-Basha në Kuvend. Pa i parë nuk i besoj as babait tim, jo më Sali Berishës. Ata deputetët që kanë dalë pro Sali Berishës nuk janë budallenj, kanë nuhatur gjithçka. Duhet të presim”, tha Andi Bushati.
Grida Duma u shpreh se nuk mund të ketë konfidencialitet, ndërsa takimet e “Foltores” u bënë të hapura.“Berisha nuk i ka firmat. Të paktën të publikonte 1 mijë prej tyre”, tha Grida Duma.