Nga Fatmir Xhafaj*
Sot mbushen 6 vjet nga miratimi me konsensus i ndryshimeve kushtetuese, bazamenti i reformës historike për reformimin e drejtësisë, ëndrrës dhe realitetit.
Mirënjohje më shumë se kurrë të gjithë atyre që punuan me vizion, shpirt dhe besim tek e vërteta, tek e ardhmja.
Dedikojmë sot një moment mendimi për vitet e tëra të betejave mes të resë që ndërtohet dhe të vjetrës që pak nga pak shembet pa kthim, mes progresistëve të vendosur dhe pengmarrësve të drejtësisë, mes reformistëve idealistë dhe demagogëve për drejtësi të re, por me shpirt të vjetër.
Për të gjithë ata që e duan a s’e duan, e shohin a s’e shohin, reforma sot është realiteti i prekshëm që përparon çdo ditë mes vështirësish dhe do t’ia dalë me sukses. Kjo sepse ata që vendosin stërkëmbësha apo edhe ata që përgjërohen për të, por me ëndrrën e vjetër për ta rivendosur nën kontroll, janë shumë herë më të paktë se ata që duan një drejtësi të pavarur si vetë populli shqiptar që iu bë mburojë qysh prej fillimit dhe ka investuar shpresë e besim .
Teksa kremtojmë çeljen e negociatave, ndjehemi përherë e më krenarë për këtë reformë, së cilës i shkon merita kryesore për avancimin tonë në rrugëtimin në BE . Shqipëria europiane ka kusht kyç një drejtësi me standarte europiane.
Institucionet e reja janë tashmë përgjegjëse për zbatimin e reformës, andaj është koha që të mbështetet, monitorohet dhe peshohet efiçenca e tyre.
Kërkohet prej tyre më shumë punë, ritëm dhe rezultate. Barazia para ligjit dhe goditja e pandeshkueshmerisë s’duhet të mbeten rekomandime e objektiva, por aksione dhe veprime konkrete.
Si dëshmitar i atyre ditëve të vështira, nuk do të lodhem kurrë së falënderuari miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë, ata që i dhanë mbështetje pakufi projektit tone.
I dhanë garanci, qëndrueshmëri dhe mbrojtje procesit të reformimit të bindur se kjo është rruga e vetme e konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipërinë euroatlantike.
*Ish kryetar i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi